Prishtinë, 19 maj 2026 – Komiteti për Mbrojtje dhe Siguri i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, së bashku me përfaqësues nga kompanitë e telekomunikacionit dhe TIK-ut, si dhe kompani anëtare nga sektori ligjor, zhvilloi një diskutim me përfaqësues të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të trajtuar aspekte rregullative që ndikojnë sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë.
Diskutimi mblodhi përfaqësues të sektorit privat me Zana Kotorrin, Drejtoreshë e Departamentit për Kontrollin e Tregtisë së Mallrave Strategjike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, dhe Mensur Hotin, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sesioni u moderua nga Agron Jusufi, Kryesues i Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri i Odës Amerikane.
Duke hapur diskutimin Agron Jusufi deklaroi se qëllimi i takimit ishte adresimi i procedurave lidhur me importin e mallrave me përdorim të dyfishtë dhe mallrave të tjera strategjike që bien nën kompetenca të mbivendosura institucionale. Ai theksoi rëndësinë e përmirësimit të koordinimit ndërinstitucional dhe thjeshtimit të procedurave brenda kornizës ligjore ekzistuese, duke vënë në dukje se kompanitë vazhdojnë të përballen me kompleksitet procedural dhe mbivendosje të përgjegjësive.
Zana Kotorri deklaroi se mallrat strategjike përfshijnë si mallrat me përdorim të dyfishtë ashtu edhe ato ushtarake, dhe se listat e kontrollit të Kosovës janë të harmonizuara me ato të Bashkimit Evropian dhe përditësohen çdo vit nga Komisioni Evropian. Ajo shtoi se korniza ligjore në fuqi që nga viti 2013 përfshin edhe kontrollin e importit për shkak të kontekstit të sigurisë në Kosovë dhe nevojës për të parandaluar keqpërdorimin dhe tranzitin e mallrave të ndjeshme. Po ashtu, ajo theksoi se është duke u punuar në ndryshimin e Ligjit për Tregtinë e Mallrave Strategjike përmes një Koncept Dokumenti me qëllim harmonizimin e mëtejmë me standardet e BE-së dhe përmirësimin e zbatimit.
Mensur Hoti theksoi se mbeten sfida në klasifikimin e mallrave dhe interpretimin e kërkesave të kontrollit, gjë që mund të sjellë vonesa dhe mospërputhje në zbatim. Ai nënvizoi nevojën për koordinim më të fortë ndërinstitucional, efikasitet më të lartë administrativ dhe zbatim më të qëndrueshëm të procedurave, duke theksuar rolin e sektorit privat si partner i rëndësishëm në identifikimin e sfidave praktike dhe përmirësimin e zbatimit.
Kompanitë anëtare ngritën shqetësime lidhur me vonesat në procedurat e licencimit të importit, mospërputhjet në klasifikimin e produkteve dhe pengesat në procedurat doganore, duke theksuar ndikimin e tyre në efikasitetin operativ, veçanërisht për kompanitë në sektorët e telekomunikacionit dhe TIK-ut që punojnë me pajisje me përdorim të dyfishtë. Po ashtu, u theksua nevoja për udhëzime më të qarta për klasifikim, koordinim më të mirë ndërinstitucional dhe digjitalizim të mëtejshëm të procedurave administrative, si dhe forcim të trajnimit dhe certifikimit të zyrtarëve përgjegjës, së bashku me transparencë dhe komunikim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.
Takimi përfundoi me një angazhim të përbashkët për vazhdimin e dialogut me qëllim përmirësimin e qartësisë rregullative, forcimin e koordinimit dhe mbështetjen e një mjedisi të parashikueshëm dhe efikas për bizneset që operojnë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë.

