Prishtinë, 29 qershor 2026 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar ceremoninë e Çmimeve për Partneritetin SHBA–Kosovë, duke bërë bashkë përfaqësues të institucioneve, komunitetit diplomatik dhe sektorit privat për të nderuar kompanitë dhe individët që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e partneritetit ekonomik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ceremonia u shoqërua me fjalime nga Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati, të cilët theksuan rëndësinë e partneritetit ekonomik SHBA–Kosovë dhe rolin e sektorit privat në avancimin e tregtisë dypalëshe dhe investimeve, në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 250-vjetorin e Pavarësisë së tyre.
Gjatë ceremonisë, kompania Gjirafa u vlerësua si një nga investitorët më të mëdhenj amerikanë në Kosovë. Çmime u ndanë gjithashtu për Lab-Oil, Delfin Ltd, Poligoni i Shenjtarisë Katana, Auto Kaçandolli, dhe YessPharma si importues kryesorë të mallrave amerikane; Koshi Group, Nica Cabinetry, dhe Walone Fashion Group si eksportues kryesorë të mallrave të Kosovës drejt Shteteve të Bashkuara; Kosprod si importues kryesor i shërbimeve amerikane; si dhe Solaborate dhe Mikkena Global si eksportues kryesorë të shërbimeve të Kosovës në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çmime të Veçanta të Mirënjohjes iu ndanë të Ngarkuarës me Punë, Anu Prattipati, për mbështetjen e saj të vazhdueshme në forcimin e marrëdhënieve SHBA–Kosovë, si dhe Micah Savidge, Shef i Seksionit Ekonomik të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontributin e tij në avancimin e agjendës së sovranitetit digjital të Kosovës dhe në forcimin e bashkëpunimit të nxitur nga inovacioni ndërmjet dy vendeve.

