Oda Amerikane organizon dialogun mbi arsimin dhe zhvillimin e fuqisë punëtore për tregun e punës

Prishtinë, 30 korrik, 2026 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi Dialogun e Koalicionit për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore, në kuadër të Nismës për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore, e mbështetur nga Qendra për Ndërmarrje Private Ndërkombëtare (CIPE).

Dialogu mblodhi anëtarë të koalicionit, përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues të sektorit privat për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në zhvillimin e fuqisë punëtore, me fokus në forcimin e harmonizimit ndërmjet arsimit dhe nevojave të tregut të punës.

Duke hapur diskutimin, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve për adresimin e sfidave të fuqisë punëtore dhe hartimin e rekomandimeve praktike që mbështesin reformën në arsim dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Në diskutim mori pjesë z. Lah Nitaj, Drejtor i Departamentit për Arsim dhe Aftësim Profesional në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, i cili prezantoi prioritetet e ministrisë dhe reformat në zhvillim në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional. Nitaj theksoi rëndësinë e forcimit të arsimit profesional si një rrugë për pajisjen e të rinjve me aftësi që i përgjigjen kërkesave të tregut të punës. Ai foli gjithashtu për zhvillimet në arsimin dual, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet shkollave dhe bizneseve për t’u ofruar nxënësve përvojë praktike dhe për të përmirësuar kalimin e tyre në punësim.

Pjesëmarrësit diskutuan çështje kyçe që lidhen me rritjen e angazhimit të sektorit privat në arsimin dual, përshtatjen e kurrikulave me zhvillimet teknologjike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe ofruesve të arsimit për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të tregut të punës.Dialogu theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, shkollave profesionale, bizneseve dhe partnerëve zhvillimorë për të mbështetur reformat në arsimin profesional dhe për të ndërtuar një fuqi punëtore më të kualifikuar dhe më konkurruese.

Share the Post: