Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë Lansoi Iniciativën për Fuqizimin e Zhvillimit të Fuqisë Punëtore përmes Avokimit të Sektorit Privat

Prishtinë, 28 prill 2026 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë lansoi zyrtarisht iniciativën “Fuqizimi i Avokimit të Sektorit Privat për Reformën e Zhvillimit të Fuqisë Punëtore në Kosovë”, i shënuar me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me një koalicion të gjerë partnerësh të përkushtuar për avancimin e reformave në zhvillimin e fuqisë punëtore.

Koalicioni përfshin: Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, American Councils, Edu-Task, Jahjaga Foundation, Kolegjin AAB, Kolegjin Universum, Kosovo United States Alumni (KUSA), Next Gen Networks Institute, RIT Kosovo, Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK), Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Shoqatën e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), dhe YMCA Kosovë.

E mbështetur nga Qendra për Ndërmarrësi Private Ndërkombëtare (CIPE), kjo iniciativë synon të shtyjë përpara reforma konkrete që përmirësojnë njohjen e trajnimeve dhe certifikimeve private, krijojnë stimuj për trajnimet e udhëhequra nga punëdhënësit, forcojnë bashkëpunimin publik-privat në arsim dhe aftësim profesional, si dhe zgjerojnë mundësitë për praktika dhe mësim në vendin e punës.

Gjatë ngjarjes së lansimit, Oda Amerikane dhe partnerët e koalicionit theksuan përkushtimin e tyre të përbashkët për ta shndërruar këtë iniciativë në një lëvizje afatgjatë, e cila forcon lidhjen ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, rrit konkurrueshmërinë e fuqisë punëtore dhe mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Përmes avokimit të përbashkët, politikëbërjes së bazuar në evidencë dhe dialogut të strukturuar me institucionet publike, koalicioni do të punojë për të siguruar që zhvillimi i fuqisë punëtore të bëhet një shtyllë qendrore e agjendës reformuese të Kosovës.

Share the Post: